Ministria e Shëndetësisë bashkë me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), u kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve në vend, që të vaksinohen ma vaksinat anti-covid. Në raportin 24-orësh të IKSHPK-së bëhet e ditur që në Kosovë, janë dhënë 15.925 doza të vaksinës kundër Covid-19.
“Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës, janë dhënë mbi 1 milion e 226 mijë e 63 doza të vaksinës”, thuhet në raportin e tyre. Tashmë, siç njofton Ministria në fjalë, të gjitha qendrat mjekësore dhe hapësirat në të cilat administrohen vaksinat janë të hapura edhe gjatë ditëve të vikendit.
Ministria e Shëndetësisë gjithashtu ka njoftuar qytetarët, se përveç shtimit të termineve të reja për vaksinim kundër COVID-19, me rastin e aplikimit dhe caktimit të terminëve për vaksinim, në platformën eKosova, një qytetar mund të caktojë termine edhe për 10 persona të tjerë. Gjithashtu, qytetarët e vaksinuar mund të shkarkojnë certifikatën elektronike të vaksinimit, një mënyrë shumë e lehtë për të dëshmuar vaksinimin në vendet ku ju kërkohet ky dokument.