Kampanja “Bashkëpunimi medial”, sot u realizua me tre mysafirë, zëra të njohur në Kosovë, drejtorin e ‘Glam Radio’ dhe njëherit moderatorin e famshëm z. Gent Efendia, moderatore znj. Fiona Xhema-Troshupa dhe drejtorin e teknikës dhe njëherit moderatorin z. Arsim Limani.
Shkëmbimi i momenteve profesionale, argëtuese e pa lënë anash edhe batutat të cilat u kanë ndodhur gjatë rrugëtimit profesional, ishin pjesë e intervistave të realizuara live në studion e Radio KFOR-it.
”Kampanja e Radio KFOR-it është për tu përshëndetur. Për këtë afërsi jo vetëm me Glam-in por edhe me mediumet e tjera. Për Glam-in e shoh si plus të madh, sepse ne jemi radio me dy frekuenca regjionale, nuk jemi nacionale siç janë Radiot tjerat, kështu që ndihma që po na e jepni ju me këtë bashkëbisedim, i bënë shumë njerëz ta kuptojnë se kush është dhe ku është ‘Glam Radio’. E, sa i përket mesazhit, unë them se paqen nuk duhet ta kërkojmë nga të tjerët, e as të presim nga të tjerët që t’na e sjellin, t’na e paketojnë para duarsh, është mirë që së pari paqen ta kemi me vetën, me familjen, shoqërinë dhe vendin e punës”, tha z. Genti.
Si një mundësi të mirë për tu takuar mes vete dhe për t’i ndarë përvojat profesionale me njëri tjetrin, e sheh edhe znj. Fiona, e cila ndër të tjera e dha mesazhin e saj: “Së pari duhet ta duam vetën, ta respektojmë vetën, sepse duke pasur respekt për vetën, duke e edukuar vetën do të arrijmë shumë gjëra!”
Ndërsa mesazhi i z. Arsimi, ishte të shpërndajmë sa më shumë dashni: “Më vjen mirë që Radio KFOR-i e ka hapur mikrofonin për radio të tjera, në mënyrë që edhe ato të dëgjohen, kurse sa i përket mesazhit do e them thënien që gjithmonë i përmbyllim emisionet tona në ‘Glam Radio’: Mos harroni me jep shumë dashni!”
Në ditët në vijim, në kuadër të Kampanjës “Bashkëpunimi medial”, qëllimi i së cilës është promovimi i bashkëpunimit të mirëfilltë në mes të Radio KFOR-it dhe të gjitha mediumeve në Kosovë, do të dëgjoni edhe gazetarë e moderatorë të tjerë. Për të ditur se cilët do të jenë të ftuarit e radhës, ju vazhdoni të dëgjoni Radio KFOR-in në 90.02 FM si dhe përmes aplikacionit ‘Radio K4’.