Më 23 tetor në Prishtinë filloi fushata “Dhuna nuk arsyetohet”, e organizuar nga Sektori për Parandalimin e Dhunës në Familje në Drejtorinë e Policisë në Bashkësi dhe Preventivë, e mbështetur nga OSBE-ja.
Fushata në fjalë realizohet në qiell të hapur në tetë rajone të Policisë, si në: Prishtinë, Gjakovë, Gjilan, Prizren, Pejë, Ferizaj si dhe në Mitrovicë në Jug dhe Veri.
E pikërisht sot kjo fushatë organizohet në Mitrovicë, tek Sheshi ‘Mehë Uka’, me po të njëjtin qëllim, parandalimin, vetëdijesimin si dhe ndërgjegjësimin për dhunën në familje.
Pikërisht për këtë fushatë, ditë më parë ekipi i Radio KFOR-it intervistoi Kapitenen, Tahire Haxholli, udhëheqëse e Sektorit për Parandalimin e Dhunës në Familje si dhe Keqtrajtimin e Fëmijëve, në nivel të Kosovës, e cila pati një porosi për të gjithë dëgjuesit e Radio KFOR-it: “Të gjithë ata që kanë njoftim edhe nxënësit, edhe arsimtarët, edhe punëtorët shëndetësorë, të gjithë duhet të raportojnë kur kanë njohuri për dhunën, duhet ta raportojnë në Polici, në Prokurori apo në ndonjë institucion tjetër relevant. Të gjitha këto institucione ju ofrojnë mbrojtje dhe siguri viktimave e po ashtu edhe dëshmitarëve dhe gjithë personave të tjerë.”