Rock grupi i mirënjohur kosovar Jericho, i cili krijon përzierje tëmuzikës rock, alternative, elektronike dhe muzikës tradicionale shqiptare, së shpejti do t’i gëzojnë dashamirët e shumtë të muzikës së tyre me një projekt të ri muzikor. Siç bëjnë zakonisht këta muzicientë, kësaj radhe do të shkrijnë në këngë vargjet e poezis së Dritëro Agollit, me titull “Ëndërr e Prerë”.
Në një prononcim ekskluziv për Radio KFOR-in, vokalisti i këtij grupi, Petrit Çarkagjiu, shpalosi hollësi më shumë rreth këtij projekti:
”Kjo poezi është njëra prej poezive më të dashura për mua nga Dritëro Agolli dhe është pikërisht kjo arsyeja pse kemi vendosur që ta përdorim këtë poezi në këngën tonë dhe për dëgjuesit tuaj, mund të zbuloj se pjesa e fundit e kësaj poezie do të përdoret në formë të recitalit”, tha për Radio KFOR-in, Petrit Çarkagjiu.
Ai poashtu konfirmoi se ky projekt ka gjasa të publikohet në muajin nëntor edhe me videoklip, ndërsa në muajin dhjetor do të jenë me koncerte në Vjenë, Cyrih dhe në Tiranë.