Sot, kremtojmë “Ditën Ndërkombëtare të Vallëzimit” e cila është zgjedhur të kremtohet pikërisht datën e sotme 29 prill, pasi po në këtë datë, të vitit 1727, ka lindur veprimtari i baletit bashkëkohor, Zhan-Zhorzh Nover. E shënuar qysh nga viti 1982, në “Ditën Ndërkombëtare të Vallëzimit” çdo vit, mbahen shfaqje në të cilat vallëzimi është gjuhë universale që për mision ka afrimin dhe rritjen e miqësisë ndërmjet njerëzve gjithandej globit. Krahas kësaj, vallëzimi është një shprehje krijuese që numëron edhe shumë të mira shëndetësore. Sipas ekspertëve, kimikatet e trupit që e bëjnë njeriun të ndihet mirë, lirohen në sasi më të mëdha kur vallëzoni apo kur dëgjoni muzikën që ju e pëlqeni. Ndërkohë, vallëzimi përdoret shpesh për të trajtuar probleme fizike, psikologjike, njohëse dhe të sjelljes. Vallëzimi ndihmon kundër ankthit, depresionit, vetëvlerësimit të dobët dhe stresit post traumatik.