Për të nderuar komunitetin e valltarëve dhe të artit të vallëzimit në përgjithësi, në ditëlindjen e themeluesit të disiplinës së baletit, Jean Noverre, data e sotme, 29 prilli, i është ndarë ‘Ditës Botërore të Vallëzimit’.
Për nder të kësaj dite, Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me instruktorin e vallëzimit në studion ‘Love and Dance’ në Prishtinë, Rron Haxhiislami, i cili potencoi rëndësinë e madhe që ka vallëzimi për jetën tonë: “Rëndësia e vallëzimit qëndron tek qetësia mentale dhe shpirtërore që të sjellë ajo. Lëvizjet nën ritme të ndryshme të muzikës ngritin nivelin e disponimit tek ne, nxjerrin në pah personalitetin dhe kreativitetin tonë. Po ashtu krijohet edhe tonifikimi i trupit, i cili nën lëvizje të shumta fiton elasticitet, shpejtësi dhe forcë. Në ditën botërore të vallëzimit, që shënohet sot me 29 prill, synohet të vihet në pah rëndësia e kësaj disipline artistike dhe e njerëzve, që me mund e me punë të palodhshme e zhvillojnë këtë fushë arti.”
Mesazhi i Rronit për këtë ditë, është që njerëzit të qëndrojnë aktiv, të lëvizin sa më shumë dhe më e rëndësishmja ta duan vetën shpirtërisht dhe fizikisht, duke theksuar se çdo herë që disponimi juaj bie, mos harroni, lëshoni një tingull muzike dhe vallëzoni ashtu siç ju e ndjeni, për pak minuta çdo gjë do jetë më pozitive në jetën tuaj.