Komuna e Gllogocit dhe ajo e Mitrovicës, në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë, kanë hapur ‘Konkursin e Propozimit të Politikave Komunale’, të organizuar me rastin e 8 Marsit, ‘Ditës Ndërkombëtare të Gruas’.
Se çfarë konkretisht përmban ky konkurs, Radio KFOR-it i tregoi zyrtari i Programit, Vassil Genchev: “Të kualifikuara për të marrë pjesë, janë vajzat midis moshës 15 dhe 24 vjeçare, prandaj i ftojmë të konsultohen përmes faqes së internetit të komunës, Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Misionit të OSBE-së në Kosovë, kur hulumtoni për propozimin tuaj. Nëse keni pyetje të tjera në lidhje me hulumtimin tuaj, ju lutemi kontaktoni në adresën komuna.drenas@rks-gov.net .
Të gjitha propozimet do të vlerësohen nga një juri prej tre personash, e përbërë nga një përfaqësues i administratës komunale, shoqërisë civile dhe Misionit të OSBE-së në Kosovë. Shkrimet do të vlerësohen sipas qartësisë së prezantimit, rëndësisë për politikat komunale dhe inovacionit’’, tha z. Genchev.
Tre propozimet më të mira nga secila komunë, do të shpallen gjatë aktivitetit online që do të mbahet në ditën e hënë, me 8 mars 2021 dhe të gjithë pjesëmarrësit janë të ftuar të bashkohen në këtë ngjarje dhe të marrin pjesë në diskutimin rreth propozimeve fituese dhe politikave të barazisë gjinore me përfaqësuesit komunal të Gllogocit, Mitrovicës Jugore, përfaqësuesit e OSBE-së dhe ata të shoqërisë civile. Autorët e tre propozimeve kryesore do të marrin çmime (libra në gjuhën shqipe, angleze apo serbe).