Sot, në botë më shumë se 735 milionë njerëz, çdo natë shkojnë në shtrat të uritur. Ndërkohë, rreth 1/3 e ushqimit që prodhohet çdo vit hidhet, ndërsa miliona të tjerë nuk kanë qasje në ushqim të shëndetshëm dhe të mjaftueshëm. Ky kontrast tronditës na kujton pse 16 tetori ‘Dita Botërore e Ushqimit’, ka një rëndësi të jashtëzakonshme për mbarë njerëzimin.
‘Dita e Ushqimit’ u vendos nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara në vitin 1979, me qëllim që të ndërgjegjësojë shoqëritë për sfidat e urisë, varfërisë dhe sigurisë ushqimore. Është një ditë për të reflektuar, por edhe për të vepruar sepse ushqimi është e drejtë themelore e çdo njeriu. Kjo ditë këtë vit shënohet me temën: ‘Ushqim. Ujë. Jetë. Mos lini askënd pas.’
Kjo thirrje globale thekson lidhjen e pandashme mes ushqimit dhe ujit, dy burime që mbajnë jetën gjallë. Pa menaxhimin e qëndrueshëm të ujit, nuk mund të ketë as bujqësi të qëndrueshme, as siguri ushqimore.