Rana e Hedhun në Shëngjin do të mirëpresë mijëra adhurues të muzikës elektronike nga e gjithë bota, nga data 5 qershor e deri më 10 qershor, 2025, në kuadër të edicionit më të ri dhe më të madh deri tani të UNUM Festival. Me muzikë 24 orë në ditë, tri skena të vendosura mes pishave, në plazh dhe në qendër të festivalit, organizatorët premtojnë një atmosferë unike që kombinon natyrën, detin dhe tingujt më të freskët të skenës ndërkombëtare.
Emra të njohur si: Black Coffee, Ricardo Villalobos, Seth Troxler, Dixon, Damian Lazarus, Sonja Moonear, tINI, Bedouin, Carlita si dhe një përfaqësim i fuqishëm nga skena ballkanike dhe evropiane, përfshirë këtu Raresh, Rhadoo, Priku dhe Cristi Cons, do të jenë pjesë e programit të sivjetmë. Pas suksesit të edicionit të kaluar, ku pjesëmarrja kaloi pritshmëritë dhe festivali u vlerësua si një nga ngjarjet më të veçanta të muzikës elektronike në rajon, edicioni i 2025-ës synon të forcojë pozitën e këtij festivali në hartën botërore të festivaleve verore.
Biletat janë në shitje në faqen zyrtare të festivalit, ndërsa organizatorët kanë njoftuar se interesimi ndërkombëtar është i madh dhe këshillojnë të interesuarit të rezervojnë sa më herët.







