‘Dita Botërore e Ujit’ shënohet çdo vit më 22 mars, e themeluar në vitin 1992 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Qëllimi i kësaj dite është të rrisë ndërgjegjësimin ndërkombëtar rreth rëndësisë së ujit si burim jetësor dhe të fokusohet në zgjidhjen e problemeve globale të ujit.
Në prag të kësaj dite botërore, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “KRU Prishtina” ka bërë një falënderim për konsumatorët, ku zëdhënësja e kësaj kompanie, znj. Arjeta Mjeku e shkroi një letër me dorë dhe në një prononcim për Radio KFOR-in, ajo shpjegoi: ”Ideja e këtij shkrimi ishte ndërlidhja e së kaluarës me të tashmen. Duke shkruar në tastierë, përveç tjerash, kemi harruar edhe shkrimin me dorë e sidomos bukurshkrimin. Le të shërbejë për gjeneratat e reja, që shkrimi i bukur ndihmon në pedanteri dhe si i tillë zhvillon aftësitë fizike dhe mendore”, tha znj. Mjeku.
Duke e ndërgjegjësuar botën për rëndësinë e ujit dhe duke ndihmuar në mbrojtjen dhe riparimin e burimeve të ujit, ne mund të sigurojmë një të ardhme më të qetë dhe më të sigurt për të gjithë.