Berni është kryeqytet i Zvicrës, që nga viti 1848. Qyteti i vjetër i Bernit, ruan tiparet e tij të trashëgimisë, traditat zvicerane dhe një histori të gjatë në një hapësirë të vogël dhe kompakte. Berni shtrihet në qendër të Zvicrës, që do të thotë se ky qytet mban të drejtën e mbretërimit e të qenit zemra e këtij vendi.
Qyteti i Vjetër i Bernit, u shpall një vend i Trashëgimisë Kulturore Botërore të UNESCO-s në vitin 1983, për shkak të qendrës së ruajtur të qytetit mesjetar. Është gjithashtu shtëpi e fabrikës së parë të çokollatave ‘Lindt’, njihet për legjendat e arinjve dhe veprën më të famshme të botuar nga Ajnshtajni. Pjesa malore e qytetit shijohet përmes teleferikut që merrni nga Aare, në Waben, e që është në shërbim të vizitorëve që nga viti 1899, në një kodër me lartësi 858 metër, që përmes teleferikut do të keni mundësi të shijoni bukuritë e këtij vendi.
Tek ndërtimet e këtij qyteti, dallohet Muzeu Historik i Bernit, që mban materiale dhe koleksione që datojnë që nga epoka e gurit. Këto objekte historike janë të ruajtura brenda një ndërtese të bukur, e ndërtuar në stilin e neo-renesancës. Kur jemi tek ndërtimet, diçka e veçantë është edhe godina e Bundeshaus-it, në kopshtin e së cilës do të shihni Bundes-platz, një shatërvan me 26 cepa, e që simbolizojnë 26 kantonet e Zvicrës. Kur të vizitoni Bernin, menjëherë do të vini re pse njihet si ‘Qytet i Arinjve’. Simbolet e ariut mund të gjenden në të gjithë qytetin në murale, flamuj, dekorime dhe madje edhe në kullën Zytglogge.
Një fakt tjetër interesant i këtij qyteti, është se Albert Einstein, jetoi në Bern, kur zbuloi dhe publikoi ‘Teorinë e Relativitetit’. Kryeqyteti i Zvicrës ndryshe njihet edhe si qytet i ujit, me burime në çdo rrugë dhe cep të rrugës.