‘Dita Botërore e Tuberkulozit’ organizohet çdo vit, me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit të popullatës për pasojat e rënda shëndetësore, sociale dhe ekonomike të kësaj sëmundje. Shënimi i kësaj dite me datën e sotme, 24 mars, lidhet me ditën kur Dr. Robert Koch, në vitin 1882 shpalli zbulimin e bakterit që shkakton këtë sëmundje, duke i hapur rrugë diagnostikimit dhe trajtimit të kësaj sëmundjeje.
Për të kuptuar më shumë se cila është gjendja në Kosovë, sa i përket kësaj sëmundje, Radio KFOR-i kontaktoi pulmologun Dr. Arbër Ismaili, i cili theksoi: “Tuberkulozi është sëmundje ngjitëse kronike, mjaft e përhapur në Kosovë. Kjo sëmundje prek mushkëritë por mund të përhapet edhe në organet e tjera. Shkaktari i kësaj sëmundje është myko-bakteri i tuberkulozit, i cili transmetohet nga spërklat e pështymës ose të këlbazës. Simptomat e saj janë, si: kollitja e cila zgjatë tre javë ose më shumë, kollitja me këlbazë ose me gjak, djersitja, lodhja dhe humbja e peshës.
Dr. Ismaili, kishte edhe një porosi për të gjithë ata që dyshojnë se mund të jenë të prekur nga kjo sëmundje: “Bëhuni të kujdesshëm dhe kontaktoni profesionistët, pasi që tuberkulozi mund të parandalohet, mjekohet dhe të shërohet!”
Në këtë ditë, organizatat e shëndetit publik dhe të tjera organizata qeveritare dhe joqeveritare kujtojnë nevojën e parandalimit dhe trajtimit të tuberkulozit.