Studime të shumta vërtetojnë se fëmijët që kalojnë shumë kohë duke luajtur video-lojëra, krijojnë edhe varësi ndaj tyre dhe në shumicën e rasteve këta fëmijë bëhen më agresiv, e si rezultat i kësaj ata kanë edhe arritje jo të mjaftueshme akademike, në krahasim me fëmijët që e kalojnë kohën e lirë duke u marrë me sporte apo duke u shoqëruar me bashkëmoshatarët e tyre.
Mirëpo, se a duhet apo nuk duhet ti lejojmë fëmijët, që të luajnë me video-lojëra? – Radio KFOR-i bisedoi me Psikologen, Mirjeta Pestisha, e cila tha: “Duke pasur parasysh që prania e teknologjisë në të vërtetë është duke konsumuar kohën produktive të fëmijëve dhe teknologjia ka filluar të jetë varësi për fëmijët, ku pjesën më të madhe të kohës fëmijët po e kalojnë me video-lojëra. Kur video-lojërat përdorën para moshës 7 vjeçare, kjo ndikon negativisht në zhvillimin e trurit të tyre dhe kështu ata fillojnë dhe e humbin aftësinë për tu përqendruar, për të qenë të vëmendshëm dhe kjo gjithashtu ndikon drejtpërdrejtë edhe në dëmtimin e kujtesës.”
Ndër të tjera Psikologe Pestisha, porositi prindërit që sidomos deri në moshën 7 vjeç, ti kontrollojnë telefonin fëmijës, të minimizojnë kohën e fëmijëve në video-lojëra, të mundohen që kohën e lirë ta kalojnë së bashku me ta me gjëra reale, të cilat u ndihmojnë fëmijëve të zhvillojnë shqisat, trurin dhe motorikën. Por, mbi të gjitha Psikologe Pestisha, porosit prindërit që t’u ndalojnë fëmijëve video-lojërat e dhunshme.