Mund të duket e çuditshme të bëhen parashikime për vitin 2021, kur 2020-ta na solli ngjarje aq të paparashikueshme, megjithatë, një gjë është e qartë: teknologjia këtë vit ka ndryshuar po aq sa çdo pjesë tjetër e jetës sonë, duke sjellur shumë risi dhe zbulime që as nuk janë paramenduar.
Në vijim Radio KFOR-ri ju sjell një përmbledhje të tendencave kryesore teknologjike, të cilat ka të ngjarë të jenë kryefjala e teknologjisë gjatë vitit 2021:
- Inteligjenca Artificiale (AI) – AI është padyshim një nga tendencat më të mëdha të teknologjisë për momentin, por, gjatë vitit 2021 pritet të zhvillohet aq sa do të bëhet mjeti më i vlefshëm për të na ndihmuar të interpretojmë dhe kuptojmë botën përreth nesh.
- Robotika, Dronët dhe Automjetet e Automatizuara – Përderisa nevoja për të qarkulluar e njerëzve po rritet çdo ditë, iniciativat rreth automjeteve që drejtojnë vetveten do të vazhdojnë me një ritëm në rritje. Deri tani kemi parë automjete të vogla që kanë përdorur këtë teknologji, por në 2021-ën, pritet që edhe automjetet e mëdha të transportit publik të automatizohen në masë të madhe. Në vitet e fundit kemi parë shfaqjen e robotëve në sektorët e kujdesit dhe të asistencës për njerëzit me nevoja, këto do të bëhen gjithnjë e më të rëndësishme, veçanërisht kur bëhet fjalë për bashkëveprimin me anëtarët e shoqërisë që janë më të ndjeshëm, siç janë të moshuarit. Ndërsa, dronët do të përdoren për të transportuar gjësende vitale për jetën, me shpejtësi më të madhe, për shembull ilaçe, ushqim, etj.
- 5G dhe rrjete të reja interneti – 5G dhe rrjete të tjerë të përparuar, me shpejtësi të lartë i bëjnë të gjitha tendencat e tjera teknologjike të qasshme kudo dhe në çdo kohë. Aplikacionet komplekse do të jenë të qasshme në kohë reale, duke bërë të mundur kryerjen e shumë shërbimeve që sot janë të pamundura.
- Inovacionet elektrike – Viti që po lëmë pas, nuk ka qenë aspak i mirë sa i përket të dhënave për gjendjen e ambientin dhe statistikave të ngrohjes globale. Kjo ka bërë që çdo zbulim i ri të koncentrohet në sigurimin e një ambienti të qëndrueshëm duke mos shkaktuar ndotje. Në 2020-ën, kemi parë biçikleta, dronë e vetura elektrike, por 2021-ta, pritet të sjell shumë më shumë pajisje e makineri të reja, që funksionojnë duke përdorur energjinë elektrike nga burime të ripërtëritshme.