Zhvillimi teknologjik e ka lehtësuar jetën e njerëzve, ka lehtësuar edhe kryerjen e detyrave të përditshme dhe komunikimin në distancë. Teknologjia moderne tani po gjen zbatim edhe në procesin arsimor në shumë vende të botës, e siç po duket ky trend po zhvillohet edhe në vendin tonë. Është aplikacioni “Shoku Yt”, që është krijuar pikërisht për këtë arsye, një ndihmë e nevojshme për ti lehtësuar kryerjen e detyrave të përditshme për nxënësit. E veçanta e këtij aplikacioni, është krijimi i tij nga një nxënëse shumë e talentuar, Toska Shala. E talentuara Shala, për tre vjet radhazi punoi në krijimin e këtij aplikacioni, për t`iu dalë në ndihmë bashkë moshatarëve të saj dhe jo vetëm.
Krijuesja e aplikacionit “Shoku yt”, Toska Shala, në një prononcim për Radio KFOR-in tregoi më gjerësisht rreth punës së saj: “Aplikacioni ‘Shoku Yt’, i dedikohet nxënësve të klasave të 5-ta dhe shërben si ditar personal shkollor, mirëpo mund të përdoret edhe nga nxënësit e grup moshave të tjera. Opsionet që ky aplikacion ofron janë orari, libreza elektronike, kalkulatori i suksesit, testet, detyrat dhe profili që mbanë progresin për të gjitha këto. Shpresoj që krijimi im të implementohet shumë shpejtë, por besoj që në fillim të vitit tjetër do të arrij të shtoj edhe më shumë avancime në veçori dhe uroj që të ketë përdorim më të gjerë.”
Toska Shala është vetëm 17 vjeçare, por për kundër moshës së saj, ajo nuk ka frikë të ndjek ëndrrat e saj, ajo madje inkurajon të rinjtë që të ndjekin ëndrrat e tyre: “Asnjëherë mos u dorëzoni! Ndiqni ëndrrat e juaja dhe mos lejoni që mosha, gjinia apo diçka tjetër, të ndikoj në mos realizimin e ëndrrës tuaj. Në fund i lus të gjithë që ti përkrahin talentët e rinj, sepse jo të gjithë e kanë fatin tim, të kenë një familje përkrahëse në çdo aspekt të jetës.”