Duke qenë tolerantë, ne jemi duke respektuar dhe mësuar nga të tjerët, duke vlerësuar dallimet, duke tejkaluar boshllëqe kulturore, duke refuzuar stereotipe të padrejta, duke zbuluar terren të përbashkët dhe duke krijuar lidhje të reja. Toleranca, në shumë mënyra, është edhe e kundërta e paragjykimit.
Në lidhje me këtë temë Radio KFOR-i mori një prononcim nga një shqiptar dhe një serb, Asdren Rrahmani dhe Jovan Zivanovic, për të marr këndvështrimet e tyre rreth tolerancës:
“Toleranca buron nga familja. Toleranca ndaj gruas, ndaj fëmijëve, ndaj bashkëshortit. E njëjta përcillet edhe nëpër shkolla, ku fëmijët duhet të tolerojnë njëri tjetrin, mësimdhënësit e tyre dhe anasjelltas, më pas ajo bartet edhe në Institucione, në vende të punës, etj. Pra, toleranca e mbanë thurjen e një shoqërie të shëndoshë. Kultivojeni atë”, nënvizoi Asdren Rrahmani.
Ndërsa, Z. Jovan Zivanovic, tha: “Toleranca është respekti për idetë dhe mendimet e njerëzve të tjerë. Gjithashtu toleranca për mua do të thotë, të pranosh, të respektosh dhe vlerësosh pasurinë e diversitetit. Nëse nuk do të kishte tolerancë, atëherë do të shfaqeshin stereotipet”.
Një autore e njohur amerikane, aktiviste politike dhe njëherazi pedagoge, Helen Adams Keller, në lidhje me tolerancën ka dhënë një definicion të thjeshtë dhe të qartë “Rezultati thelbësor i edukimit, është toleranca”.