Tolerancë nuk do të thotë të heqësh dorë nga bindjet tua, por të pranosh të drejtën e tjetrit për të qenë ndryshe. Është thelbësore për ndërtimin e shoqërive të qëndrueshme, paqësore dhe gjithëpërfshirëse. Çdo vit, më 16 nëntor, në mbarë botën shënohet ‘Dita Ndërkombëtare e Tolerancës’, e shpallur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB). Kjo ditë kujton rëndësinë e respektit, mirëkuptimit dhe bashkëjetesës paqësore midis njerëzve me kultura, fe dhe gjuhë të ndryshme.
Që nga viti 1995, kur UNESCO miratoi Deklaratën për Parimet e Tolerancës, kjo ditë shërben si një thirrje globale për të forcuar vlerat e respektit dhe solidaritetit, veçanërisht në një botë ku dallimet shpeshherë mund të kthehen në burim ndarjeje. Radio KFOR-i si gjithmonë, promovon bashkëjetesën dhe respektin ndërmjet komuniteteve, duke mbështetur mesazhin e kësaj dite, që paqja dhe mirëkuptimi fillojnë nga secili prej nesh.
Le ta shënojmë këtë ditë duke treguar më shumë mirësi, durim dhe respekt për të tjerët. Toleranca është çelës i paqes dhe bashkëjetesës.







