Shumë qytete dhe komunitete varen nga liqenet për ujë të pijshëm. Ndotja e tyre mund të rrezikojë shëndetin e miliona njerëzve. Për të vënë në pah rëndësinë e liqeneve, Kombet e Bashkuara e kanë caktuar datën e sotme 27 gusht “Ditë Botërore të Liqeneve”. Kjo ditë i kushtohet ruajtjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm të liqeneve dhe rezervuarëve, që janë burime jetike me rëndësi të madhe për biodiversitetin, komunitetet dhe klimën.
“Dita Botërore të Liqeneve” është një thirrje për veprim global për të mbrojtur ujin, natyrën dhe njerëzit që varen prej tyre, duke bashkuar shkencën, komunitetet dhe politikë bërësit në një përpjekje të përbashkët, për një të ardhme më të qëndrueshme.
Mbrojtja e liqeneve nuk është luks, mirëpo është domosdoshmëri për shëndetin, jetën dhe të ardhmen tonë. Kujdesi për to duhet të jetë prioritet për çdo shoqëri.







