Çdo vit nga data 21 e deri më 27 mars, shënohet “Java e Solidaritetit me Popujt që Luftojnë Racizmin dhe Diskriminimin Racor”, ndërsa këtë vit shënohet edhe 60 vjetori i Konventës Ndërkombëtare për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racor. Përgjatë kësaj jave, bëhen thirrje ndërkombëtare për ndërgjegjësim, reflektim dhe veprim ndaj sfidave të vazhdueshme që përjetojnë njerëzit për shkak të ngjyrës së lëkurës, prejardhjes etnike apo racore.
Kjo ditë është shpallur nga Kombet e Bashkuara, në përkujtim të masakrës së Sharpeville-it në Afrikën e Jugut, që ndodhi më 21 mars të vitit 1960, kur forcat policore lokale atje, hapën zjarr ndaj një grupi protestuesish paqësorë, që kundërshtonin ligjet diskriminuese të aparteidit, duke lënë të vrarë 69 persona, shumica prej tyre studentë. Kjo ngjarje tragjike u kthye në një simbol të luftës globale kundër racizmit.
“Java e Solidaritetit me Popujt që Luftojnë Racizmin dhe Diskriminimin Racor” rikujton se racizmi, diskriminimi racor, ksenofobia dhe format e tjera të intolerancës janë ende të pranishme në shoqëri dhe kërkojnë përpjekje të përbashkëta për t’u luftuar. Mesazhi që shënon këtë ditë, është i qartë: askush nuk lind racist dhe as nuk duhet të trajtohet i pabarabartë, për shkak të origjinës apo pamjes që ka . Edukimi, dialogu dhe bashkëpunimi janë çelësat për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë. Në këtë javë, çdo individ, institucion apo komunitet mund ta japin kontributin e tyre, përmes mbështetjes së iniciativave që synojnë të shkatërrojnë paragjykimet dhe të promovojnë një botë ku diversiteti shihet si pasuri.