Sipas Kombeve të Bashkuara, më shumë se 70 milionë njerëz në botë janë të zhvendosur për shkak të konflikteve. Kjo shifër tronditëse na kujton se, me gjithë përparimin teknologjik dhe zhvillimin shoqëror, paqja mbetet ende një sfidë e madhe e kohës sonë. Pikërisht për këtë arsye ‘Dita Botërore e Paqes’, merr një rëndësi të veçantë: ajo na fton të reflektojmë mbi atë që i mungon botës sonë dhe mbi rolin që secili prej nesh mund të luajë në krijimin e një realiteti më të sigurt.
Paqja nuk është vetëm një qëllim global, por një gjendje shpirtërore që ndërtohet brenda nesh. Ajo lulëzon kur mësojmë të menaxhojmë konfliktet me maturi, të falim gabimet dhe të shohim tek tjetri një partner, jo një kundërshtar. Paqja lind nga dëshira për të kuptuar, për të bashkëpunuar dhe për të gjetur pikë të përbashkëta edhe aty ku dallimet duken të mëdha. Ajo është proces i vazhdueshëm, një përpjekje e përditshme që na sfidon të jemi më të butë, më të duruar dhe më të drejtë.







