Data 10 tetor, në gjithë botën shënon ‘Ditën Botërore të Shëndetit Mendor’, mirëpo edhe i gjithë muaji tetor, njihet si muaj i shëndetit mendor. Objektiv i përgjithshëm i kësaj dite apo edhe këtij muaji, është që të rrisë ndërgjegjësimin për çështjet e shëndetit mendor në mbarë botën dhe të mobilizojë përpjekjet në mbështetje të shëndetit mendor.
Sipas ‘Institutit Nacional të Shëndetit Mendor në Amerikë’, vlerësohet se më shumë se një nga pesë persona të rritur, në SHBA jeton me një sëmundje mendore apo 23.1% e popullsisë në SHBA.
Këtë vit ‘Organizata Botërore e Shëndetësisë’, i ka kushtuar theks të veçantë shëndetit mendor në vendin e punës. Mjediset e sigurta dhe të shëndetshme të punës mund të veprojnë si një faktor mbrojtës për shëndetin mendor.
Kushtet e pashëndetshme duke përfshirë stigmën, diskriminimin dhe ekspozimin ndaj rreziqeve si ngacmimi dhe kushte të tjera të këqija të punës, mund të paraqesin rreziqe të konsiderueshme, duke ndikuar në shëndetin mendor, cilësinë e përgjithshme të jetës dhe rrjedhimisht pjesëmarrjen ose produktivitetin në punë.







