Tenisi nuk është vetëm një sport garues, por edhe një aktivitet që kontribuon drejtpërdrejt në mirëqenien fizike dhe mendore. Ai ndihmon në përmirësimin e koordinimit, qëndrueshmërisë, përqendrimit dhe disiplinës. Për të vlerësuar rëndësinë e tij, sot shënohet ‘Dita Botërore e Tenisit’, një moment i veçantë ky në kalendarin sportiv ndërkombëtar, që synon të promovojë vlerat, përfitimet dhe ndikimin global të këtij sporti. E iniciuar nga International Tennis Federation, kjo ditë shërben si platformë për të nxitur pjesëmarrjen, për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të afruar më shumë njerëz me sportin e tenisit. Historitë e sukseseve të kampionëve botërorë si Roger Federer, Serena Williams apo Rafael Nadal, shërbejnë si motivim për këdo që ëndërron të arrijë majat përmes punës dhe përkushtimit.
Shënimi i kësaj dite i jep mundësi federatave kombëtare, klubeve dhe institucioneve arsimore të theksojnë investimet në infrastrukturë, trajnime dhe programe zhvillimi. Nëpërmjet shënimit të kësaj dite, tenisi nuk festohet vetëm si lojë, por si një kulturë që frymëzon, edukon dhe bashkon njerëzit në mbarë botën.







