Tena Vodopija është një këngëtare e muzikës xhez, ndërsa me muzikë filloi të merrej qysh në moshën 3 vjeçare. Ajo interpretoi në korin e fëmijëve “Klinci s Ribnjaka” dhe aty qëndroi për 11 vjet, ku fitoi përvojë si soliste dhe mori pjesë në festivale të shumta, duke bashkëpunuar me muzikantët më të mëdhenj nga Kroacia. Këngëtarja së fundmi publikoi këngën e saj të parë si vokaliste dhe njëherit kantautore, të titulluar “Një gotë verë, pak tym” (Čaša vina, malo dima) dhe gjithashtu njofton bashkëpunim me këngëtarin nga Prishtina, Denik Prizreni.
Në një intervistë për Radio KFOR-in, Tena, thekson se është e kënaqur me këngën dhe me reagimin e audiencës, por gjithashtu njoftoi se ajo po punon shumë në projekte të reja: “Këngën e kam shkruar dy vjet më parë, kur isha në det. Kënga dëgjohet në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Bosnjë dhe Hercegovinë, prandaj jam shumë e kënaqur me reagimin e publikut. Unë jam duke punuar në projekte të reja, madje ishte planifikuar një këngë e Krishtlindjes, por për shkak të situatës me pandeminë, nuk u bë e mundur që të përpunohet teknikisht.”
Në lidhje me bashkëpunimin e saj me këngëtarin nga Prishtina, Denik Prizreni, Tena tha: “Unë dhe Denik Prizreni jemi duke përgatitur një këngë të bukur, që presim të publikohet në pranverë të vitit 2021. Deniku, është një këngëtar i famshëm i operës, një djalë që unë e takova gjatë qëndrimit tim në Prishtinë. Kënga që do të regjistrojmë së bashku, është e një karakteri dashurie, flet për marrëdhëniet mes dy personave, të cilët në fillim janë të pakënaqur, por ende ka emocione mes tyre.”
Në fund të bisedës sonë, Tena, kishte një mesazh për të gjithë dëgjuesit e Radio KFOR-it: “Mesazhi im për dëgjuesit e Radio KFOR-it, është se në këto kohë të vështira, ne thjesht duhet të kujtojmë se sa bukur është të kemi pranë të dashurit tanë, ta duam njëri-tjetrin dhe të përpiqemi të kemi mirëkuptim dhe durim.”
“Mundohuni të shijoni ngrohtësinë e shtëpisë tuaj, të paktën gjatë këtij sezoni festash”, përfundoi këngëtarja Tena.