Nga gjigandi Samsung, këtë javë rrodhën informata se i njëjti do të lansojë telefonin e radhës i cili do të jetë më i veçanti deri më tani. Deri më tani, telefonat inteligjentë me ekran të palosshëm, janë palosur vetëm një herë, por përgatituni që në fundin e vitit 2021, të keni në duar telefonin me dy metoda të palosjes, që e ka paralajmëruar Samsung. Kur jemi tek telefonat e rinj, dy të tillë prezantoi edhe konkurrenti i Samsung, OnePlus, i cili javën e kaluar prezantoi dy telefonat e parë të serive OnePlus 9: modelet OnePlus 9 dhe OnePlus 9 Pro. Në krye titujt e mediave teknologjike, as këtë javë nuk mungoi Elon Musk, i cili përmes rrjeteve sociale bëri deklaratën më të papritur nga të gjithë: “Tani mund të blini një Tesla me monedha Bitcoin“, kështu shkroi shefi ekzekutiv i Tesla’s. Kjo u pa si mbështetje e z. Musk, për kriptomonedhat, pasi ai ka investuar në Bitcoin gjatë muajit të kaluar, më shumë se 1.5 miliardë dollarë.
Nga fusha e rrjeteve sociale, u veçua edhe lajmi se Facebook, do të krijojë së shpejti një Instagram të ideuar për fëmijët nën moshën 13 vjeçare. Aktualisht, përdoruesit e Instagramit duhet të jenë mbi 13 vjeç, për t’u regjistruar aty.