Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitete ka bërë bashkë të rinj të komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Kosovë në kuadër të projektit “Humanrightivism”, i cili do të mbahet nga data 21 deri më 23 shkurt, në Prishtinë.
Afati i fundit për aplikim për këtë trajnim, pjesë e së cilit do të jenë 21 pjesëmarrës, është sot, 19 shkurti. Radio KFOR-i ka kontaktuar Zyrtaren për Komunikim dhe Marrëdhënie me Publikun në Qendrën “Artpolis”, Znj. Venera Ismaili, e cila na tregoi për qëllimin e organizimit të këtij trajnimi që bashkon të rinjtë e komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Kosovë: “Trajnimet e tilla kanë gjithmonë një qëllim, jo vetëm mësimin rreth teatrit, kulturës apo një lloj arsimimi joformal, por ne tentojmë që të rinjtë t’i bashkojmë, t’i mësojmë vlerat kryesore njerëzore, mbi të drejtat njerëzore, t’u japim mundësinë që të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë të bashkëveprojnë, të punojnë bashkë dhe t’i gëzojnë të drejtat e tyre. Kjo është ideja që ky trajnim i bashkon të rinjtë dhe kanë mundësi të shohin ndryshimet, dallimet mes nacionaliteteve, por edhe të mirat dhe të përbashktat që i kanë, që është ideja të mendojmë përpara, të kemi paqe në të ardhmen, të shohim përpara të ardhmen dhe t’i trajnojmë të rinjtë që e ardhmja e tyre është paqja dhe bashkëjetesa e përbashkët dhe multietnike. Në këtë thirrje që e kemi bërë së vonmi do të marrin pjesë të rinj dhe të reja të shkollave të mesme dhe studentët, prej moshës 16 deri në 25 vjeç nga mbarë Kosova, jo vetëm shqiptarë, por të rinj dhe të reja që i përkasin edhe komuniteteve tjera.”
Znj. Venera Ismaili gjithashtu bëri të ditur se kriteri kryesor për të qenë pjesë e këtij trajnimi është që të rinjtë ta duan teatrin, aktrimin dhe të jenë të apasionuar rreth të drejtave njerëzore, sepse në këto trajnime trajtohen tema të ndryshme sociale që lidhen me barazinë gjinore, diskriminimin e bullizmin. Pjesëmarrësit, në fund të trajnimit, do të përgatisin një shfaqje, të cilën do ta performojnë para një publiku të caktuar.
Në kuadër të projektit në fjalë, që përkrahet nga “Swedish International Development Cooperation Agency – Sida” dhe “Community Development Fund – CDS” do të organizohen edhe trajnime të tjera të ngjashme me të rinj nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.