Edhe këtë javë shkenca dhe teknologjia nuk ka dështuar të na befasojë me të rejat që na i ka sjellë. Tashmë qasja në hapësirë do të jetë e mundur përmes dronëve, ndërsa hartës së yjeve i janë shtuar edhe një milion galaktika të reja. Në vijim të artikullit gjeni arritjet e kësaj jave në teknologji:
– Prodhohet droni më i madh autonom në botë, i pari që mund të dërgojë satelitë në orbitë: I krijuar nga kompania amerikane “Aveum”, droni 24 metra i gjatë, i quajtur “Ravn X”, është plotësisht autonom, 70% i ripërdorshëm dhe mund të ngrihet e ulet në pista deri në 1.5 km të gjata. Kompania ka bashkëpunuar me Forcat Hapësinore Amerikane, për të krijuar këtë pajisje e cila ndryshon tërësisht mënyrën e “Qasjes në hapësirë”. Kjo teknologji do të bëjë të mundur që satelitët të dërgohen në hapësirë pa një pilot njeri, apo ndonjë raketë gjigante, diçka që, sipas “Aveum”, ul ndjeshëm rrezikun ndaj jetëve njerëzore. Fluturimi i parë mendohet të zhvillohet në vitin 2021.
– Australianët kanë hartuar një milion galaktika: Këtë javë shkencëtarët australianë kanë njoftuar se kanë arritur të hartojnë një milion galaktika të reja me ndihmën e një teleskopi të ri. Agjencia shkencore kombëtare Australiane, njoftoi se teleskopi i saj i ri krijoi një “atlas të ri të hapësirës” në kohë rekorde, i cili tregon detaje të cilat nuk i kemi parë me herët. Teleskopi ka hartuar një total prej tre milionë galaktikash, me fotografi që ofrojnë dy herë më shumë detaje të reja, sesa hulumtimet e mëparshme. Astronomët shpresojnë që imazhet e reja do të rezultojnë në zbulime të reja rreth universit.
– Space X dërgon dhurata për Krishtlindje në Stacionin Hapësinor: SpaceX ka lëshuar raketën e saj të 100-të Falcon 9, duke dërguar një kapsulë të modernizuar ‘Dragon’, në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar. Kjo raketë është shumë e veçantë, pasi ajo bartë dhurata për Krishtlindje për astronautët që gjendjen në hapësirë. Kujtojmë që vetëm pak javë më parë, një raketë tjetër e Space X, dërgoi në stacion katër astronautë.
– Del në shitje vetura që mund të vozitet në të dy drejtimet: Chrysler Voyager është ndryshe nga makinat që shohim çdo ditë në rruge, pasi ajo mund të vozitet në të dy drejtimet. Ky model ka zgjuar interesim të madh teksa është bërë sensacion në rrjetet sociale. Vetura u krijua nga bashkimi i dy Voyagers dhe gjëja më interesante është se në të dyja anët ka kontrollet dhe timonin e vet, por edhe motorin dhe kutinë e shpejtësisë. Ajo që ndajnë se bashku të dyja drejtimet e veturës, është i njëjti rezervuar karburanti. Lajmi i keq është se një makinë e tillë nuk mund të dalë legalisht në rrugë.