Një rekord Ginis, një projekt serioz për të kaluar pushimet në një hapësirë, një paralajmërim serioz për përdorimin e rrjetit 5G, e shumëçka tjetër e karakterizoi javën teknologjike që sapo e kemi lënë pas. Një rekord Ginis, është regjistruar në qiellin e Kinës, ku 600 dronë janë përdorur për “interpretimin” e kryeveprës së Van Gogh-ut, “Nata me Yje”. Kjo ishte ideja më e veçantë e interpretimit të kryeveprës së Gogh, gjë që bëri të regjistrohej edhe në librin e rekordeve Ginis.
Lajmi tjetër i ngjanë filmave fanta-shkencorë, i cili u lëshua nga kompania spanjolle ‘Zero 2 Infinity’, e cila njoftoi se udhëtimi në hapësirë është çdo herë e më pran. Kompania zbuloi se është në proces të zhvillimit të teknologjisë e cila do të mundësojë dërgimin e turistëve në hapësirë përmes një “Tullumbaceje Masive”. Udhëtimi si turist në hapësirë pritet të kushtojë 132.000 dollarë.
Java teknologjike që sapo e kemi lënë pas, na solli edhe një këshillë teknologjike. Autoriteti francez i aviacionit civil (DGAC), ka paralajmëruar se gjenerata e re e telefonave të mençur 5G, mund të ndikojnë dhe pengojnë sistemin e aeroplanëve gjatë fluturimit. Prandaj DGAC, ka rekomanduar që telefonat të cilët mbështesin rrjetin 5G, duhet të fiken gjatë fluturimit. Kur jemi te 5G-ja, Samsung ka njoftuar se tabletët e rinj të kompanisë me lidhjen 5G, do të dalin në treg në muajin qershor të këtij viti.
Lajmin për teknologjitë e reja e përmbyllim me një paralajmërim të aplikacionit WhatsApp. Nëse jeni përdorues të WhatsApp-it, e nëse nuk i pranoni termat dhe kushtet e përditësuara deri më 15 maj të këtij viti, atëherë WhatsApp, do të t’ua bëjë llogarinë joaktive.