Edhe kjo javë ka qenë me një agjendë të ngjeshur në fushën e teknologjisë. Samsung po punon për një version më të hollë të telefonit të palosshëm TriFold, me një mekanizëm të ri që pritet të përmirësojë ndjeshëm dizajnin dhe përdorshmërinë, megjithëse lansimi nuk parashikohet para vitit 2027.
Ndërkohë, OpenAI ka prezantuar modelin e ri të inteligjencës artificiale GPT-Rosalind, i cili synon të përshpejtojë kërkimet në biologji dhe zhvillimin e ilaçeve përmes analizës së të dhënave komplekse.
Në anën tjetër, në Pekin është mbajtur një gjysmë-maratone unike, ku për herë të parë morën pjesë robotë humanoidë. Ky zhvillim tregon përparime të mëdha në robotikë, edhe pse nuk munguan sfidat teknike gjatë garës.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian po përballet me kritika lidhur me një aplikacion të ri për verifikimin e moshës online, pasi ekspertët kanë identifikuar dobësi serioze në siguri.
Një studim i realizuar në Mbretërinë e Bashkuar, ka arritur të rikthejë qelizat njerëzore në një gjendje më të re përmes riprogramimit të pjesshëm qelizor, një zbulim ky që mund të ketë ndikim të rëndësishëm në trajtimin e sëmundjeve dhe në luftën kundër plakjes.







