Inovacionet teknologjike po hapin mundësi të reja në fusha të ndryshme, duke sjellë përfitime konkrete për shëndetin dhe cilësinë e jetës.
Një nga risitë më interesante të kësaj jave, është “Gem”, një pajisje kjo inteligjente në formën e një varëseje që ndihmon në mbrojtjen nga rrezet e dëmshme të diellit. E pajisur me sensorë që matin rrezatimin ultravjollcë (UV), pajisja lidhet me një aplikacion në telefon, ku përdoruesi regjistron të dhëna personale, si lloji i lëkurës dhe përdorimi i kremit mbrojtës. Bazuar në këto informacione, “Gem” llogarit kohën e sigurt që një person mund të qëndrojë në diell, duke ndihmuar në parandalimin e djegieve dhe dëmtimeve të lëkurës.
Ndërkohë, një përparim i rëndësishëm është shënuar edhe në fushën e mjekësisë. Shkencëtarët kanë zhvilluar një sistem të inteligjencës artificiale të quajtur “Hetairos”, i cili mund të identifikojë tumoret e trurit brenda vetëm 12 minutash. Krahasuar me metodat tradicionale, që mund të zgjasin deri në dy javë, kjo teknologji përfaqëson një hap të madh drejt diagnostikimit më të shpejtë dhe më të saktë. Sistemi është trajnuar me mijëra mostra dhe është në gjendje të dallojë mbi 100 lloje tumoresh, duke ndihmuar mjekët në marrjen e vendimeve më efikase për trajtimin e pacientëve.
Nga ana tjetër, studimet e fundit paralajmërojnë për rreziqet e përdorimit të tepruar të telefonit gjatë natës. Sipas një studimi të realizuar nga Universiteti i Glasgow, personat që përdorin telefonin pas orës 22:00 kanë më shumë gjasa të përballen me probleme të shëndetit mendor, përfshirë depresionin dhe çrregullimet bipolare. Drita blu e ekranit mund të prishë ritmin natyror të gjumit, duke ndikuar negativisht në funksionimin e trurit dhe në mirëqenien emocionale.
Këto zhvillime tregojnë se teknologjia vazhdon të luajë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në jetën tonë, duke ofruar mundësi të reja për përmirësimin e shëndetit, sigurisë dhe cilësisë së jetës.







