Edhe këtë javë, bota ka sjellë risi, por edhe sfida të reja për përdoruesit. Kompania Samsung gjatë muajit korrik pritet të prezantojë serinë e re të orëve inteligjente Galaxy Watch9, ndërsa sipas informacioneve të zbuluara në kodin e sistemit Wear OS, kompania mund të rikthejë edhe modelin Galaxy Watch9 Classic.
Ndërkohë, në Britaninë e Madhe, qeveria po teston përdorimin e inteligjencës artificiale për verifikimin e moshës së azilkërkuesve. Sistemi do të analizojë fotografitë për të ndihmuar autoritetet të dallojnë të miturit nga të rriturit, megjithëse organizatat për të drejtat e njeriut kanë ngritur shqetësime për saktësinë dhe ndikimin e kësaj teknologjie.
Edhe YouTube po forcon transparencën në përdorimin e inteligjencës artificiale. Platforma ka njoftuar se videot e krijuara ose të modifikuara me AI do të etiketohen më qartë dhe informacioni për përdorimin e kësaj teknologjie do të shfaqet drejtpërdrejt pranë videos. Nga ana tjetër, të dhënat e fundit tregojnë se gjuha e urrejtjes mbetet një problem serioz në hapësirën digjitale evropiane. Sipas statistikave, shumë përdorues të internetit vazhdojnë të përballen me përmbajtje fyese dhe diskriminuese në rrjetet sociale, ndërsa ekspertët vlerësojnë se këto sjellje pasqyrojnë tensionet ekzistuese në shoqëri.







