Edhe kjo javë na solli lajme të shumta nga fusha e teknologjisë. Sipas një testi praktik me 35 telefona të mençur, iPhone 17 Pro Max ka rezultuar telefoni me jetëgjatësinë më të mirë të baterisë, falë optimizmit shumë efikas të harduerit dhe softuerit, edhe pse ka bateri më të vogël se disa konkurrentë si OnePlus 15. Ndërkohë, në Holandë, një dizajner ka krijuar një maskë transparente që ngatërron sistemet e njohjes së fytyrës me inteligjencë artificiale, duke e bërë përdoruesin “të padukshëm” për kamerat inteligjente. Në industrinë e automjeteve, Gjermania u rendit e dyta në botë për prodhimin e makinave elektrike në vitin 2025, pas Kinës, me rritje të ndjeshme si të automjeteve plotësisht elektrike ashtu edhe atyre hibride. Qeveria gjermane planifikon subvencione për qytetarët, ndërsa industria kërkon më shumë investime në infrastrukturën e karikimit. Nga ana shkencore, studiuesit gjermanë kanë zhvilluar një metodë me Inteligjencë Artificiale për identifikimin e dinozaurëve përmes gjurmëve të tyre, duke analizuar mijëra gjurmë dhe duke përmirësuar saktësinë e klasifikimit shkencor. Ndërkohë, në fushën e rregullimit digjital, Sllovenia po përgatit një ligj për ndalimin e mediave sociale për fëmijët nën 15 vjeç, me synimin për të mbrojtur të miturit nga varësia digjitale dhe ndikimet negative online.







