Kompania Meta ka mbyllur vitin e kaluar (2025) me rezultate rekord. Drejtori Ekzekutiv Mark Zuckerberg ka deklaruar se mbi 3.5 miliardë njerëz përdorin çdo ditë Facebook, Instagram dhe WhatsApp. Rritja e përdorimit është mbështetur nga reklamat, sezoni i festave dhe zhvillimi i inteligjencës artificiale. Zuckerberg theksoi se viti 2026, do të jetë vendimtar për inteligjencën artificiale personale, e cila pritet të ofrojë përvoja më të personalizuara për përdoruesit. Megjithatë, Meta po përballet edhe me sfida ligjore.
Shteti i New Mexico-s, ka ngritur padi ndaj kompanisë Meta, duke e akuzuar se ka dështuar në mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi seksual në platformat e saj. Ndërkohë, edhe Google ka pranuar një marrëveshje paraprake prej 135 milionë dollarësh në një padi kolektive nga përdoruesit e Android-it, të cilët e akuzojnë për mbledhje të të dhënave pa pëlqim, edhe kur aplikacionet ishin të mbyllura. Nëse marrëveshja miratohet, përdoruesit mund të përfitojnë deri në 100 dollarë secili. Nga lajmet e mira të javës veçojmë kompaninë Neuralink, e cila po sjell shpresë për personat me paralizë. Aktualisht, 21 persona në botë po përdorin çipin e trurit që mundëson kontrollin e pajisjeve vetëm përmes mendimeve, me synim rikthimin e autonomisë dhe komunikimit. Ndërsa në Kinë, inxhinierët kanë zhvilluar një bateri natrium–squfur, e cila mund të zëvendësojë litiumin. Bateria është më e lirë, më e sigurt dhe funksionon në temperaturë dhome, duke hapur rrugë për zgjidhje më të qëndrueshme në ruajtjen e energjisë.







