Edhe kjo javë na ka sjell shumë të reja nga teknologjia. Sipas një raporti të Institutit të Sigurisë së Inteligjencës Artificiale (AISI), rreth një e treta e britanikëve përdorin inteligjencën artificiale për mbështetje emocionale, shoqëri apo këshilla personale. Ndërsa përfitimet për menaxhimin e stresit dhe vetmisë janë të dukshme, ekspertët paralajmërojnë për rreziqet e këshillave të pasakta dhe ndikimit në mendimin personal, veçanërisht te adoleshentët dhe grupet vulnerabël.
Në përpjekje për të luftuar dezinformimin digjital, Google ka prezantuar një funksion të ri në aplikacionin Gemini, i cili lejon përdoruesit të verifikojnë nëse një video është e gjeneruar ose manipuluar nga AI. Mjeti analizon elementet audio dhe vizuale për shenja të veçanta identifikimi dhe synon të rrisë besueshmërinë e përmbajtjes online. Ndërkohë, TikTok ka shmangur një ndalim të mundshëm në Shtetet e Bashkuara pas arritjes së një marrëveshjeje investimesh me kompani amerikane dhe ndërkombëtare. Në fushën e inovacionit, kompania Eve Air Mobility, pjesë e Embraer, ka realizuar fluturimin e parë të një makine fluturuese elektrike, duke hapur rrugën për transportin ajror urban. Deri më sot janë bërë me mijëra porosi paraprake dhe projekti po shihet si një hap i rëndësishëm drejt një mobiliteti më të qëndrueshëm dhe modern.







