Edhe kjo javë ka qenë e mbushur me zhvillime të rëndësishme në teknologji, shkencë dhe ekonomi globale. Në fushën e inovacionit teknologjik, sipërmarrësi nga Kenia, Elly Savatia është shpallur fitues i Çmimit Afrikan për Inovacion Inxhinierik 2025, me aplikacionin “Terp 360”, që përkthen të folurën në gjuhë shenjash përmes inteligjencës artificiale dhe avatarëve 3D. Kjo zgjidhje po ndihmon personat me dëgjim të kufizuar, që të komunikojnë më lehtë si dhe kjo shpikje po e përmirëson përfshirjen digjitale në Afrikë. Nga shëndetësia, vjen një zbulim që mund të shpëtojë mijëra jetë, ku shkencëtarë nga Kanadaja dhe Kina kanë krijuar një veshkë universale që mund të transplantohet tek çdo person, pavarësisht grupit të gjakut. Falë përdorimit të enzimave që heqin antigjenet, organet e grupit A janë shndërruar në grupin O, duke ulur ndjeshëm rrezikun e refuzimit gjatë transplantimit. Ndërkohë, NASA ka njoftuar se Toka tani do të ketë edhe një mini-hënë të re, një asteroid i vogël që ndodhet në orbitën tonë dhe pritet të qëndrojë aty deri në vitin 2083. Ky fenomen i rrallë po studiohet për të kuptuar më mirë ndërveprimet gravitacionale dhe për të ndihmuar kërkimet e ardhshme hapësinore.







