Edhe kjo javë ka sjellë zhvillime të jashtëzakonshme në fushën e teknologjisë. Derisa OpenAI është bërë një nga kompanitë më të vlefshme në industrinë e teknologjisë, me vlerë të tregut prej 500 miliardë dollarësh, njëra nga themelueset e saj apo ish-punonjëse e tyre, Mira Murati, po këtë javë ka lansuar produktin e ri që do të ndryshojë mënyrën se si zhvilluesit dhe studiuesit përdorin inteligjencën artificiale. Ky produkt quhet Tinker dhe është një ndërfaqe programimi për aplikacione (API), e cila mundëson personalizimin dhe trajnimin e modeleve të mëdha gjuhësore, për qëllime të ndryshme, si kodim, përkthim, mjekësi dhe shumë të tjera.
Nuk munguan as zbulimet revolucionare këtë javë që e lamë pas. Në Zvicër, shkencëtarët nga laboratori FinalSpark po zhvillojnë bio-kompjuterë të bazuar në organoide truri, të cilët mund të kryejnë detyra të ngjashme me ato të kompjuterëve tradicionalë, por duke përdorur shumë më pak energji. Ky zhvillim, i njohur si “kompjuterë të gjallë”, mund të hapë mundësi të reja për përpunimin biologjik të informacionit. Megjithatë, ky projekt është ende në fazën eksperimentale dhe përballet me sfida të shumta, si mungesa e enëve të gjakut dhe jetëgjatësia e kufizuar e organoideve.