Edhe kjo javë, ka pasur ‘agjendë shumë të ngjeshur’ nga të rejat teknologjike. Nga më të veçuarat sjellim kompaninë Samsung, e cila në janar të vitit 2026, pritet të prezantojë serinë Galaxy S26, me tre modele kryesore: Pro, Edge dhe Ultra. Modeli Edge do të jetë shumë ë i hollë, vetëm 5.5 mm, ndërsa modeli Ultra, do të ketë kamera më të avancuara dhe bateri më të fuqishme, duke sjellë përmirësime të mëdha në pajisjet smart. Inteligjenca Artificiale po ashtu ka qenë krye temë. Një studim i publikuar në “Nature”, tregoi se një model AI, mund të parashikojë rrezikun për mbi 1.000 sëmundje, përfshirë kancerin e infarktet, deri në dhjetë vite përpara shfaqjes së tyre. Kjo tregon potencialin e madh të inteligjencës artificiale në shëndetësi. Kur jemi te Inteligjenca Artificiale, Italia u bë vendi i parë këtë javë, që miraton ligj gjithëpërfshirës për Inteligjencën Artificiale, duke ndaluar abuzimet, mashtrimet digjitale dhe përdorimin e AI nga fëmijët, pa miratimin e prindërve. Po këtë javë, Google ka mbyllur rrjetin mashtrues SlopAds, i cili përmes 224 aplikacioneve gjeneronte klikime të rreme dhe përhapte viruse online, duke prekur miliona përdorues në SHBA, Indi dhe Brazil.







