Në IFA (Innovation For All) 2025, një nga panairet më të mëdha të teknologjisë në Evropë, fokusi kryesor ishte inteligjenca artificiale në çdo pajisje. Samsung aty prezantoi “AI Home”, shpikje që bashkojnë të gjitha pajisjet shtëpiake në një sistem të vetëm, me ndihmën e AI. Tani, frigoriferi yt mund të sugjerojë receta në bazë të produkteve që i ka brenda, ndërsa mikrovala e rregullon temperaturën vetë, bazuar në ushqimin që e fusni brenda. Edhe marka të tjera si LG dhe Bosch prezantuan në IFA 2025, pajisje që mësojnë nga sjelljet e përdoruesit dhe automatizojnë e lehtësojnë çdo veprim të përditshëm. Kur jemi tek pajisjet shtëpiake, një zbulim tjetër na dërgon një hap më afër shtëpisë së të ardhmes! Bëhet fjalë për Roborock Saros Z70, që është një vakum inteligjent që jo vetëm pastron, por edhe përdor një “dorë robotike” për të ngritur sende të vogla si rroba apo lodra nga toka përpara se të pastrojë dyshemenë. Roboti mund të ecë në ambiente komplekse, të planifikojë pastrimin në mënyrë strategjike dhe të lidhet me sistemin tuaj ‘smart home’. Ky robot sjell një nivel të ri të automatizimit për një shtëpi që pastrohet vetë, realisht!
E kush tha që teknologjia nuk hyn edhe në ushqim? Kompania japoneze, Kirin Holdings ka shpikur “Electric Salt Spoon”, një lugë kjo elektrike që përdor një impuls të lehtë elektrik për të stimuluar ndjesinë e kripës në gjuhë, pa pasur nevojë përdorimin e kripës së vërtetë. Qëllimi i shpikjes së kësaj luge, është që të ndihmojë njerëzit që kanë nevojë të kufizojnë natriumin, por nuk duan të heqin dorë nga shija e kripës. Shpikje kjo inovative që përputhet me trendin global për ushqim më të shëndetshëm, pa kompromise në shije.







