Nga kjo javë, do të jemi më të sigurt në Facebook. Kompania amë, Meta, ka prezantuar një mënyrë të re dhe më të sigurt për t’u futur në llogaritë Facebook, duke përdorur metoda biometrike si PIN, gjurmë të gishtërinjve dhe skanim fytyre. Kjo risi synon të përmirësojë sigurinë kundër sulmeve kibernetike dhe njëkohësisht të bëjë procesin për kyçje më të lehtë për përdoruesit.
Kur jemi tek siguria, një raport nga studiuesit e “Cybernews”, tregon se mbi 16 miliardë të dhëna hyrjeje të përdoruesve, janë ekspozuar për shkak të softuerëve të rrezikshëm të njohur si ‘infostealers’. Këto të dhëna përfshijnë qasje në llogari të shërbimeve si Facebook, Apple dhe Google. Studiuesit paralajmërojnë përdoruesit që të ndryshojnë menjëherë fjalëkalimet dhe të aktivizojnë verifikimin me dy hapa.
Ndërkohë, lajmi befasues na vjen nga Japonia këtë javë. Shkencëtarët atje kanë zbuluar mitrën e parë artificiale plotësisht funksionale në botë, një arritje që lejon zhvillimin e embrioneve jashtë trupit të njeriut, në kushte të ngjashme me një mitër natyrale. Sistemi kontrollon oksigjenin, ushqimin dhe largimin e mbetjeve, duke simuluar funksionin e placentës. Ky zbulim ka potencial të sjell revolucion në kujdesin për foshnjat e lindura para kohe dhe trajtimin e infertilitetit, por njëkohësisht ngre pyetje të mëdha etike mbi krijimin e jetës dhe ndërhyrjen teknologjike në procesin natyror.







