Përmbledhjen javore në teknologji e fillojmë me një lajm shumë të mirë që na vjen nga integrimi teknologjisë në shëndetësi. Sipas studimeve të fundit, muzika mund të bëjë më shumë sesa të na kënaq shpirtrat tanë, ajo mund të ndihmojë në luftimin e kancerit. Shkencëtarët zbuluan se Simfonia Nr. 5 e Beethovenit, ka shkatërruar 20% të qelizave kancerogjene në testet laboratorike, duke i lënë qelizat e shëndetshme të paprekura. Dr. Márcia Alves Marques Capella dhe ekipi i saj në Rio de Janeiro po e zgjerojnë kërkimin e tyre, duke testuar ritme si Samba dhe Funk, për të gjetur kolonën zanore të natyrës për shërim.
Këtë javë patëm edhe lajme që tingëllojnë shumë ‘futuristike’. Ray Kurzweil ish-inxhinier në Google, ka deklaruar se deri në vitin 2030, njerëzit mund të arrijnë pavdekësinë përmes avancimeve në inteligjencën artificiale dhe nanoteknologji. Inxhinieri parashikon përdorimin e nanorobotëve të aftë për të riparuar dëmtimet qelizore, për të luftuar sëmundjet dhe për të ndaluar procesin e plakjes. Ai beson se deri më 2029, AI do të arrijë nivelin e inteligjencës njerëzore.
Ndërkohë, po këtë javë, në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets (MIT), shkencëtarët kanë zhvilluar një mënyrë për të rritur drurin në laborator, duke ofruar një alternativë të qëndrueshme që nuk kërkon më prerjen e pemëve. Ky zbulim, nëse aprovohet, do të ndihmojë në mbrojtjen e ekosistemeve dhe në reduktimin e dëmit mjedisor.







