Edhe këtë javë, teknologjia na ka sjellë shumë të reja. Kompania Apple, ka humbur statusin e kompanisë më të vlefshme në botë, duke u zëvendësuar nga Microsoft, pas një rënie të madhe të aksioneve të Apple, për shkak të tarifave të reja tregtare të vendosura nga presidenti amerikan, Donald Trump. Ndërkohë, ChatGPT ka shënuar një arritje të jashtëzakonshme duke u bërë aplikacioni më i shkarkuar në botë, duke tejkaluar Instagramin dhe TikTokun. Me 46 milionë shkarkime në muajin mars, ky sukses ka ardhur për shkak të përmirësimeve, siç janë aftësia për të krijuar imazhe dhe funksione zanore. Një tjetër zhvillim interesant këtë javë, është përditësimi i ChatGPT-së, që lejon rikujtimin e bisedave të mëparshme, duke e bërë përdorimin më të personalizuar dhe të dobishëm.
Një histori frymëzuese na erdhi këtë javë nga një 14-vjeçar nga India, Siddhart Nandyala, i cili ka krijuar një aplikacion që diagnostikon sëmundjet e zemrës në vetëm 7 sekonda, duke përdorur inteligjencën artificiale. Kur jemi tek të rinjtë, Instagrami ka marrë masa për të mbrojtur ata, duke kërkuar leje prindërore për përdorimin e funksionit video-live, për adoleshentët nën moshën 16 vjeç.







