Përmbledhjen javore teknologjike e fillojmë lajmin për një telefon të ri mobil, që së shpejti do të lansohet në treg. Kompania londineze Nothing, me datën 4 mars, pritet që të lansojë modelin e ri celular Phone, që kushton rreth 350 dollarë. Për shkak të çmimit, patjetër që mund të themi se përbënë një ‘telefon buxhetor’, diçka që presim edhe nga Apple me gjeneratën e katërt të iPhone SE.
Nga inteligjenca artificiale, këtë javë sjellim reagimin e OpenAI, kompani kjo e cila pretendon se startup-i kinez DeepSeek, ka përdorur modelet e saj për të trajnuar një model konkurrues, duke shkelur të drejtat e pronësisë intelektuale. Kompania që krijoi ChatGPT-në deklaroi se ka gjetur prova të një praktike të quajtur “distilim”, që dyshon se është përdorur nga DeepSeek. Kujtojmë që kanë filluar ndalesat për DeepSeek, për shkak të dyshimeve për sigurinë. Kongresi amerikan ua ndaloi anëtarëve të përdorin produktin e DeepSeek, ndërkohë këtë javë edhe Italia ka bllokuar qasjen në starup-in kinez.
Edhe TikTok ka qenë krye temë e javës që e lamë pas. Blerja e shërbimeve të aplikacionit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e rritë konkurrencën. Këtë javë kemi lajmin që një grup investitorësh, i udhëhequr nga influenceri i njohur MrBeast, ka ofruar mbi 20 miliardë dollarë për blerjen e TikTok-ut, në SHBA. Më parë në këtë garë janë përmendur vetë dy konkurrues Elon Musk dhe kompania Microsoft.







