Viti 2025, pritet që të jetë vit i cili përfaqëson një kulm në zhvillimin teknologjik. Janari ka filluar furishëm sa i përket kësaj fushe. Përmbledhjen teknologjike e fillojmë me një studim, i cili thotë që orët inteligjente mund të ndihmojnë njerëzit që të lënë duhanin. Ky studim na vjen nga Universiteti i Bristol-it dhe në testimet me 18 persona, 66% e pjesëmarrësve e pranuan këtë metodë si të dobishme. Inteligjenca artificiale pritet që të jetë krye-temë edhe përgjatë këtij viti. Kompania Microsoft, ka njoftuar se do të investojë 80 miliardë dollarë, për zgjerimin e qendrave të të dhënave të inteligjencës artificiale, deri në fund të qershorit të vitit 2025, me më shumë se gjysmën e investimit që do të shtrihet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nga fusha e teknologjisë, veçojmë edhe diçka nga viti që e kemi lënë pas, pra viti 2024, ku sipas “World Statistic,” YouTube ishte aplikacioni më i kërkuar në Google gjatë vitit 2024, duke ruajtur pozicionin kryesor. Aplikacionet tjera WhatsApp, Facebook, ChatGPT dhe Gmail përbëjnë pesëshen e parë. Ndërkohë në top 10-she gjejmë gjithashtu Netflix dhe Twitter, e kur jemi tek Twitter është interesante që “X”, që është tani emri i ri i Twitter, nuk u kërkua edhe aq shumë.







