Të rejat javore në teknologji i fillojmë me kompaninë Samsung, e cila këtë javë prezantoi modelin e ri Galaxy A16 LTE, një telefon i ri në serinë A. Ky telefon i mençur përfshin një ekran 6.7 inç me fuqi rifreskimi 90 Hz dhe një sistem kamerash të trefishtë: me kamerë kryesore 50 MP, ultra e gjerë 5 MP dhe selfie 13 MP. Samsung Galaxy A16 ka bateri 5000 mAh dhe vjen në modelet 128 GB dhe 256 GB.
Po këtë javë Bashkimi Evropian, publikoi draftin e parë për modelet e avancuara të inteligjencës artificiale (GPAI), duke përfshirë rregulla për transparencën, të drejtat e autorit dhe vlerësimin e rreziqeve. Ky draft synon të sigurojë që kompanitë si OpenAI, Google dhe Meta, të zbatojnë masa për të shmangur keqpërdorimin e AI dhe të ndjekin standarde të larta sigurie dhe etike. Dokumenti i plotë pritet të përfundojë në maj të vitit 2025.
Të reja teknologjike, kemi edhe nga vendi. Me 7 dhjetor, në ambientet e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, do të mbahet “DevFest Kosova 2024”, që do të sjell prezantime, punëtori dhe aktivitete për të eksploruar teknologjitë e fundit të Google, përfshirë Android, AI dhe Cloud. Konferenca është për të gjithë, nga fillestarë e profesionistë dhe përfshin aktivitete të rrjetëzimit. Siç bëhet e ditur, pjesëmarrja është falas, por paraprakisht duhet bërë regjistrimi për pjesëmarrje.







