Përmbledhjen javore në teknologji e fillojmë me Google, kompani kjo e cila ka prezantuar një sërë veçorish të reja në aplikacionin Maps, të mundësuara falë chatbotit të fuqizuar nga inteligjenca artificiale. Veçoritë e reja përfshijnë rekomandime për vendet për t’u vizituar, aktivitete dhe informacione për restorante e vendkalime gjatë udhëtimeve. Tani përdoruesit mund të planifikojnë aktivitete dhe të marrin përditësime për kushtet e motit dhe të trafikut. Harta do të ju tregojë edhe veçorinë e cila lejon përdoruesit të eksplorojnë virtualisht stadiumet, parqet dhe rrugët.
Të reja javore kemi edhe nga OpenAI, e cila ka lansuar këtë javë një veçori kërkimi brenda ChatGPT. Fjalën e kemi për “ChatGPT search” veçori e cila ofron rezultate sportive të përditësuara, lajme, parashikime të motit, etj., të mundësuara nga kërkimi në internet në kohë reale.
Nga ana tjetër, problemet për aplikacionin TikTok edhe këtë javë nuk janë ndalur. Shtatë familje franceze kanë ngritur padi kundër platformës duke e akuzuar atë për ekspozimin e fëmijëve të tyre adoleshentë ndaj përmbajtjeve të dëmshme, që çuan në vdekjen e dy prej tyre, të moshave 15-vjeç. Padia pretendon se algoritmi i TikTok-ut i ekspozoi shtatë adoleshentët ndaj videove që promovonin vetëvrasje, vetëlëndim dhe çrregullime të të ngrënit, shkruajnë mediat franceze.
Lajme të mira këtë javë kemi nga shëndetësia. Teknologjia ka kontribuar jashtëzakonisht shumë në shëndetësi, e këtë javë një grup shkencëtarësh nga Universiteti i Letonisë njoftuan se kanë zhvilluar një pajisje që mund të zbulojë melanomën e lëkurës (një formë agresive e kancerit) në fazat e hershme, me saktësi deri në 97%. Pajisja, e quajtur “B-detect”, përdor imazhe tri-ngjyrëshe për të identifikuar me efikasitet dallimin midis melanomës dhe llojeve të tjera të njollave të lëkurës, pa përdorur metoda invazive.







