Edhe kjo javë na ka sjellë ngjarje të reja nga fusha e teknologjisë. E fillojmë me Instagram-in, që ka prezantuar funksionin e ri i cili tani ju lejon përdoruesve të ruajnë këngët e zbuluara në aplikacion, për t’i dëgjuar më pa në Spotify. Ky integrim vjen vonë nga Instagrami, pasi platforma siç është TikTok, ofron integrime me disa shërbime të transmetimit muzikor, përfshirë Apple Music dhe Amazon Music.
Rrjeti social Bluesky ka qenë në fokus të mediave këtë javë. Pas ndryshimeve të fundit në rrjetin social X, ku bllokimi i përdoruesve nuk do të ndalojë shikimin e përmbajtjes së tyre, rrjeti social alternativ Bluesky është rritur, më saktësisht platforma shtoi 500.000 përdorues të rinj brenda 24 orëve.
Të reja këtë javë kemi edhe nga vendi. Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka njoftuar se nga data 18 tetor, e këtij viti (2024), i ka dhënë autorizimin kompanisë Starlink për të ofruar shërbime satelitore të internetit në Kosovë. Ky hap pritet të përmirësojë infrastrukturën digjitale të vendit, duke mundësuar qasje në internet në zona të largëta dhe duke sjellë përfitime për arsim, shëndetësi dhe zhvillimin ekonomik. Starlink është e njohur për shërbimet e saj në mbarë botën, veçanërisht për mbështetjen e komunikimit gjatë emergjencave. ARKEP thekson angazhimin për investime dhe shërbime të përballueshme për të gjithë qytetarët.







