Përmbledhjen javore në teknologji e fillojmë me Instagram-in. Me përditësimin e ri, rrjeti social, përveç zgjerimit të numrit të fotove dhe videove që mund të publikohen në një postim, shtoi edhe një pamje të re në aplikacion si dhe disa opsione të reja për përdoruesit. Pamja e simboleve për pëlqime, komente dhe shpërndarje për postime ka ndryshuar gjithashtu. Ikonat e pëlqimit, komentit dhe ndarjes duken minimale dhe pak të larguara nga njëra tjetra. Gjithashtu, teksti poshtë postimeve është paksa më i theksuar.
Këtë javë kemi edhe listën e vendeve që përdorin më së shumti ChatGPT-në e OpenAI. Në mesin e vendeve anketuese, rezultoi se India është vendi me përdorimin më të madh të ChatGPT, me 45% të njerëzve që e përdorin atë, në vendin e dytë radhitet Moroko me 38 %, ndërsa në të tretin për përdorim të AI, radhiten Emiratet e Bashkuara Arabe me 34%.
Të rejat këtë javë kemi edhe nga robotika. Studentët e inxhinierisë në Institutin Federal të Teknologjisë (ETH), në Cyrih të Zvicrës, kanë njoftuar se janë duke punuar për të krijuar robotë të avancuar, që mund të ndryshojnë mënyrën se si studiohen oqeanet e botës. “Eva” është peshku robotik që është prezantuar nga studentët e ETH-së dhe i njëjti robot tashmë është duke kaluar në fazat testuese. “Duke e bërë Evën të duket sikurse një peshk, ne jemi në gjendje të bëjmë eksplorimet më të mëdha oqeanike”, thuhet në njoftimin e Institutit Federal të Teknologjisë së Cyrih-ut.







