Përmbledhjen javore e fillojmë me daljen në treg të pajisjeve të reja teknologjike. Google ka zbuluar datën e lansimit të telefonave të tyre të ri. Është 13 gushti, data kur zyrtarisht do të njihemi me telefonat-mobil ‘Pixel 9’, ‘Pixel 9 Pro’ dhe ‘Pixel 9 Pro XL’.
E të reja këtë javë kishim edhe nga inteligjenca artificiale. OpenAI do të lansojë një model më të lehtë, më pak të kushtueshëm për zhvilluesit quajtur GPT-4o Mini, që kushton shumë më pak se sa modelet e fuqishme dhe sipas kompanisë është më i fuqishëm sesa versioni 3.5.
Por kjo nuk po i bënë përshtypje më shumë se 40 për qind të kompanive japoneze, të cilat kanë thënë se nuk kanë në plan të fusin në funksion inteligjencën artificiale. Një sondazh i realizuar së fundmi në Japoni, shtroi një sërë pyetjesh për 506 kompani, ku rreth 250 prej tyre u përgjigjën në kushte të anonimitetit. Bëhet e ditur se rreth 24 për qind e të anketuarve treguan se e kanë të integruar tashmë inteligjencën artificiale në bizneset e tyre dhe 35 për qind po planifikojnë ta bëjnë këtë, ndërsa 41 për qind nga të anketuarit treguan se nuk kanë plane të përdorin inteligjencën artificiale.







