Përmbledhjen javore teknologjike e fillojmë me kompaninë Apple, e cila është bërë kompania e parë në botë që kalon pragun prej 1 trilion dollarësh në vlerën e markës, me një rritje prej 15% krahasuar me vitin e kaluar. Ky raport vjen nga klasifikimi global që është përpiluar nga BrandZ, aty ku gjejmë edhe kompanitë tjera, si Google të Alphabet që aktualisht ka vlerën e 753 miliardë dollarëve dhe Microsoft me vlerë prej 713 miliardë dollarëve.
Këtë javë që po e lëmë pas, të reja patëm edhe nga fusha e mbrojtjes së fëmijëve. Ligjvënësit në New York kanë miratuar legjislacionin që ndalon platformat e rrjeteve sociale të ekspozojnë përmbajtje algoritmike që shkaktojnë “varësi” për përdoruesit nën moshën 18 vjeç, pa pëlqimin e prindërve.
Kur jemi tek siguria, një lëvizje të tillë e kemi edhe nga YouTube, platformë kjo e cila ka njoftuar se do të fillojë me zbatimin e një ndryshimi politikash që do të kufizojnë moshën e disa videove të lidhura me armë dhe do të bllokojë tërësisht të tjerat. Videot që përfshijnë armë zjarri të improvizuara dhe automatike, do të ndalohen për shikuesit nën moshën 18 vjeç, ndërsa mësimet për heqjen e pajisjeve të sigurisë, do të ndalohen pavarësisht nga mosha.