Përmbledhjen javore në fushën e teknologjisë e fillojmë me kompaninë Realme, e cila për të kremtuar 5 vjetorin e debutimi në treg, prezanton telefonin e ri të emëruar ‘GT5’. Përveç një versioni bazik, nga kompania do të kemi edhe një version Pro, mirëpo i njëjti do të dalë në treg më vonë gjatë këtij vitit. Të reja javore kemi edhe nga rrjeti social X. Veçoria e bllokimit të llogarive do të hiqet për përdoruesit e platformës X, ka njoftuar pronari i saj Elon Musk, duke pretenduar se kjo veçori “nuk ka kuptim”. Megjithatë, shefi i platformës X ka njoftuar, se përdoruesit akoma do kenë mundësinë e bllokimit të marrjes së mesazheve nga personat e tjerë. Ky është përditësimi i fundit, në një seri të ndryshimeve që Musk e ka bërë, që prej blerjes së platformës Twitter, tani i njohur si X, në tetorin e vitit të kaluar. Pjesë e kryetitujve teknologjik këtë javë, ishte edhe NASA, me shpikjen e baterive të cilat janë duke u punuar nga NASA dhe të cilat thuhet se do të sjellin revolucion për udhëtimet ajrore.
Në javën që po e lëmë pas, Apple ka qortuar ashpër përdoruesit. Kompania në fjalë sërish ka lëshuar alarm për të gjithë përdoruesit që mbushin bateritë e telefonave gjatë natës. Apple po u bën thirrje përdoruesve të iPhone që të ndryshojnë këtë mënyrë, duke ju treguar rreziqet e lënies së pajisjes në rrymë ndërsa jemi duke fjetur. Siç ka njoftuar kompania, kjo mund të ju sjell zjarr, goditje elektrike, lëndim ose dëmtim të iPhone-it. Rreziqet janë veçanërisht të përhapura nëse iPhone juaj është i mbuluar, sepse gjatë procesit të mbushjes se baterisë telefoni nuk është në gjendje të ajroset siç duhet.