– Lajmet apo zhvillimet e fundit në fushën e teknologjisë, i fillojmë me më të rejat nga aplikacioni WhatsApp. Nga kjo javë që po e lëmë pas, aplikacioni WhatsApp do të ofroj më shumë privatësi për përdoruesit e tij, falë një veçorie të re të kyçjes së ekranit. Ky funksion i ri është aktualisht i qasshëm për përdoruesit e WhatsApp Web dhe detyra e tij është të bllokojë qasjen e paautorizuar në aplikacion, pa e futur kodin e llogarisë. Kjo risi është fillimisht e disponueshme vetëm për pjesëmarrësit e programit Beta.
– Gjatë kë saj jave, kuptuam gjithashtu se OpenAI, ka blerë kompaninë e produkteve digjitale “Global Illumination”, për të punuar në ChatGPT, mirëpo detajet financiare të marrëveshjes nuk janë zbuluar. Global Illumination me bazë në Nju Jork, u themelua në vitin 2021, nga Thomas Dimson, Taylor Gordon dhe Joey Flynn, të cilët kanë punuar më parë në Instagram të Platformës Meta.
– Google po përgatitet të prezantojë një veçori të re që ka të bëjë me lidhjen e pajisjeve Android të lidhen apo të sinkronizohen me një profil të vetëm. Është disi e ngjashme me veçorinë ekzistuese të “Continuity” të Apple, e cila i lejon përdoruesit të marrin telefonata me iPhone përmes Mac dhe iPad, për sa kohë që janë të lidhur në të njëjtin rrjet. Lidhja e të gjitha pajisjeve Android me një llogari të Google, do të mundësojë veçori të tilla si përcjellja e telefonatave dhe ndarja në ueb, njësoj sikurse një hotspot.
– Dronët apo teknologjia artificiale po përdoret për të ruajtur edhe pushuesit në bregdet. Ujërat më të ngrohta dhe më të pastra afër bregut në Long Island, të Nju Jorkut, viteve të fundit kanë sjellë një numër në rritje të peshqve të vegjël në këtë zonë dhe me to edhe peshqit më të mëdhenj të cilët i hanë ata, përfshirë edhe peshkaqenët. Rojet e shpëtimit përgjatë bregut jugor të Long Island në Nju Jork, po përdorin teknologjinë apo inteligjencën artificiale për të monitoruar ujërat dhe për ti ruajtur turistët apo pushuesit e bregdetit nga peshkaqenët.
– Sikurse shumë kompani të tjera edhe kompania Apple, po planifikon një hap të madh për të festuar 10-vjetorin e lansimit të orës së saj, me një pajisje të re të quajtur “Watch X”, e cila thuhet se do të mundësoj matjen e presionit të gjakut. Ora thuhet se do të përfshijë një ekran microLED, i cili ofron ngjyra dhe qartësi më të mirë dhe një mënyrë për përdoruesit për të monitoruar presionin e gjakut. Sipas Bloomberg, këto ndryshime janë mjaft të vogla në krahasim me atë që Apple ka rezervuar për Watch X, të cilin do ta zbulojë në vitin 2024 ose 2025.